Yuri Kim lëshon alarmin, akuzon politikanët se po kërkojnë të minojnë reformën në drejtësi dhe paralajmëron se asnjë i korruptuar s’do i shpëtojë ndëshkimit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim ka ngritur dje alarmin se ka ende politikanë që duan të bllokojnë reformën në drejtësi. Teksa ishte e pranishme në tryezën e organizuar me temë: “5 vjet nga Reforma në Drejtësi: Konsolidimi i Sistemit Përmes Strategjisë së re Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025”, ambasadorja amerikane ka bërë thirrje për më shumë “goditje” nga reforma në drejtësi, duke ndëshkuar të “plotfuqishmit”, ndërsa siguroi se SHBA-të do jenë gjithmonë krah institucioneve të drejtësisë, duke i mbështetur pa kufij. Sipas zonjës Kim, të gjithë ata që duan të vendosin pengesa në rrugën e reformës në drejtësi ta harrojnë se do t’ia dalin.

“Shumë kanë thënë që nuk kishte për të ndodhur dhe shumë kanë dashur të mos ndodhte dhe shumë vazhdojnë që ta parandalojnë vazhdimin e saj. Është puna e gjithësecilit rreth kësaj tryeze, e kryesisht e shqiptarëve që të rikonfirmojnë punën tuaj sikurse populli juaj e dëshiron. Është koha të hapni një epokë të re që të krijoni një sistem ku qytetari të ketë mundësi të barabarta. Ky është fillimi, ju keni bërë një nisje të mirë, por më shumë duhet bërë. Ky është një çast kritik, SHBA është me ju, dhe ju duhet të kapërceni pengesat që mbesin në shtegun tuaj. Do jemi me ju deri në fund. Mbështetja e SHBA ka filluar me administratën e Obamës, Trump dhe në administratë e Biden kjo mbështetje do të fuqizohet. Ka ardhur koha, është një kohë e mirë shumë gjëra janë arritur”, deklaroi ajo.

Më tej gjatë fjalës së saj, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim theksoi se tashmë SPAK dhe BKH janë funksionale dhe se kanë dhënë rezultate me veprimet e tyre, ndërkohë që shtoi se edhe vetingu ka shkulur nga sistemi i drejtësisë shumë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Por ndërsa ishte e qartë në atë që thoshte, ambasadorja Kim u kujdes të dërgonte edhe një mesazh të fortë për të gjithë njerëzit e veshur me pushtet. Sipas ambasadores amerikane, me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë nuk do të këtë më të pandëshkueshëm.

“5 vite më parë Shqipëria miratoi ndryshimet kushtetuese ligjore për reformën në drejtësi. Në sondazhe, shqiptarët mbështetën reformën në drejtësi gjë që dëshmoi, sesa shqiptarët e zakonshëm dëshironin një ndryshim thelbësor të ndryshimeve në drejtësi. Reforma nuk ka qenë e lehtë, por tani jemi duke parë rezultatet e para. Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Sikurse kemi parë SPAK dhe BKH janë funksionale dhe janë duke dhënë rezultate. Vetingu i fuqishëm ka shkulur nga sistemi i drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë shumë të korruptuar. Ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Asnjë, pavarësisht sa i fuqishëm mendoni se jeni nuk mund të jetë mbi ligjin. Është shpresë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar që të sigurohen që reforma në drejtësi të bëhet siç duhet dhe të thyhet cikli i pandëshkueshmërisë”, nënvizoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.