‘Virus i pabesë! U takuam 3 javë më parë dhe s’dinim ç’na priste’, Kolegët flasin të prekur për mjekun që humbi jetën

Ndarja nga jeta e Prof. Dr Arjan Pushi ka prekur kolegët, pacientët dhe të gjithë ata që e kanë njohur. Ai ia kushtoi jetën e tij luftës ndaj kësaj sëmundjeje të pabesë.

Mjeku Edvin Prifti ka bërë sot një dedikim të ndjerë për kolegun e tij, doktorin Arjan Pushi, që ndërroi jetë për shkak të koronavirusit.

Ai kujton takimin e para tre javëve me doktorin dhe bisedën për COVID-19, ndërkohë që shprehet se ai nuk e dinte më çfarë po përballeshin.

“Mas mediat të dhanë për të vdekur 24 ore më parë a thua se shprehnin kënaqësinë që një profesor i mjeksisë ishte në grahmat e fundit se zbatonte betimin e Hipokratit. Dhe ndërkohë shikon turmat e pa identifikuara, turma që rrokullisen në rrugët e Tiranës pa asnjë proteksion, apo disa delirantë dhe sharlatanë të mendimit që deklaronin me paturpësinë që covid-19 është thjeshtë një iluzion.

Raca shqiptare duhet të mbijetojë, bëjeni të mbijetojë, por jo me këtë kosto. Mjekët, infermierët, bijtë dhe bijat tuaj janë atje. Nuk ka më vijë të parë, të dytë dhe të shtatë. Janë atje duke luftuar për ju dhe për familjet tuaja.

Sot humbëm një koleg dhe mik. Humbëm një profesor të universitetit tonë. Nesër mbase do të jetë radha jonë, mbase do jetë radha ime, por kjo s’ka asnjë rëndësi! Ju jeni thelbi! Këtu nuk flitet më për individin, por për racën tonë. Mbrojeni, mbështeteni, mos u beni naiv dhe injorant siç jeni sjellë në shekujt e kaluar, luftoni për mbijetesë, kuptojeni, dhe lutuni shumë për veten tuaj, familjet dhe për ne mjekët tuaj që nuk ndaluam një ditë duke trajtuar dhembjet dhe sëmundjet tuaj.

Lamtumirë koleg i nderuar. Lamtumirë, kur u puqëm bashkë tre javë më parë dhe bisedonim për covid-19. Dhe në perjetësinë e mallkimit qofshin kush i thotë të kundërtën këtij populli që nuk ç’bën! Dashuria do të triumfojë mbi gjithçka,”-thotë Prifti.

Edhe Prof.dr. Ivanaj u shpreh i hidhëruar për humbjen e tij

Ai tha se mjeku u infektua në krye të detyrës:

“Është një humbje e madhe për ne, por veçanërisht për familjarët e tij, për bashkëshorten Norën dhe vajzën e tij Kristinën. Arjani ishte në luftë kundër virusit, ai la jetën e tij në këtë virus. Çfarë mund të bëjë më shumë një person se sa për t’i dhënë kujdes të tjerëve të infektohet? Duke dhënë kujdes për të tjerët u infektuam. Nuk është QSUT që infektoi të tjerët”.