Vetizolohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti është futur në vetizolim, pasi një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19 dhe Kurti ka pasur kontakt me zyrtarin e ministrisë.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se tashmë janë marrë mostrat dhe po presin rezultatet.

Statusi i Kurtit:

“Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin. Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkroi Kurti.

Kreu në detyrë i ekzekutivit deklaroi se do të vazhdojë të kryejë funksionet e tij në largësi.