Turqia dhe xhamitë, Rama i “heq merakun” Francës

Në një intervistë për televizionin francez, France24, kryeministri Edi Rama është detyruar që, siç ndodh zakonisht kur intervistohet në këtë vend, të sqarojë raportet me Turqinë apo ndonjë merak lidhur me Islamin.

Kështu ka ndodhur dhe së fundi, ku më parë ka sqaruar raportin me Kinën.

Pritët në Tiranë ministrin e jashtëm kinez. Për çfarë ka realisht nevojë vendi juaj që të ndihmohet nga Kina? A është në përputhje edhe me marrëdhëniet tuaja shumë të mira me SHBA dhe Turqinë e Erdogan? Shihet se ka interes për këto fuqi në rajonin tuaj në Ballkan dhe në vendin tuaj.

Në kornizën e bashkëpunimit të Kinës me të ashtuquajturin grup të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, pra vendet ish-komuniste, formati 17+1, Shqipëria nuk ka marrë thuajse asgjë. Do të thotë se kemi marrëdhënie të mira, por përsa i përket pranisë së investimeve apo ndihmës kineze, nuk ka asgjë të veçantë për t’u theksuar.

Ndërkohë Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë, ashtu si Greqia dhe Italia. Është një trekëndësh shumë i rëndësishëm historikisht dhe tradicionalisht. Janë popuj, vende mike dhe për mendimin tim personalisht Turqia nuk ka një strategji në Ballkan që bie ndesh me integrimin e Ballkanit në BE.

As për islamizmin, për çështjen e Islamit dhe modelin e tij pikërisht musliman?

“Nuk ka asgjë në këtë drejtim, kam dëgjuar shumë fjalë dhe kam lexuar shumë shkrime që thonë se xhamitë po lulëzojnë në Ballkan, duke përfshirë Shqipërinë, por ju them se që prej 30 vjetësh, vetëm një xhami, një xhami e bukur, është ndërtuar me ndihmën e komunitetit musliman turk“- tha ai.