Tronditëse në Finlandë: 34-vjeçari ndërron jetë disa orë pas protestës në mbështetje të UÇK-së

**Arbër Gashi, 34-vjeçar nga Kosova, ka ndërruar jetë në Finlandë, ndërsa lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët.**

Sipas një postimi të Albi Zogianit, Gashi kishte marrë pjesë në një protestë në Helsinki dhe, disa orë më vonë, kishte ndërruar jetë në shtëpinë e tij.

Familja Gashi ka njoftuar se trupi i të ndjerit aktualisht ndodhet në Finlandë. Detajet për kohën dhe vendin e varrimit pritet të bëhen të ditura gjatë ditëve në vijim.

Sipas Zogianit, Arbëri kishte shkuar në Finlandë rreth katër vjet më parë, me qëllim që të punonte dhe të ndihmonte familjen e tij në Kosovë. Ai ishte i vetmi anëtar i familjes që jetonte në Finlandë.

Familjarët kanë bërë të ditur gjithashtu se do t’u nevojitet mbështetje financiare për kthimin e trupit në Kosovë dhe mbulimin e shpenzimeve të tjera që lidhen me ceremoninë mortore. Detajet për mënyrën e ndihmës pritet të publikohen më vonë.

**Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur në njoftimet e publikuara deri më tani.**