Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, ku një futbollist 16-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në ishullin Thassos.
16-vjeçari Asllan Gjana, pjesë e skuadrës Byronas Kavala, po luante kundër Aiandas Panagias në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës.
Incidenti ndodhi që në minutën e dytë të takimit. Gjatë një dyluftimi për topin, futbollisti doli jashtë fushës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Pas goditjes, ai humbi ndjenjat.
Ndeshja u ndërpre menjëherë dhe 16-vjeçarit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit. Në stadium mbërriti edhe shërbimi i urgjencës mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i tij i menjëhershëm drejt spitalit.
Gjana u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 16-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
Edhe klubi Byronas Kavala reagoi përmes një mesazhi prekës, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri.
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit.
“Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon mesazhi i klubit.