Sulm me thikë në një shkollë, një mësuese e humbë jetën dhe disa persona plagosen

Sulm i rëndë në një shkollë në Sllovaki, një mësuese humb jetën dhe dy persona plagosen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë në qytetin Staškov, në distriktin e Čadcës, në veriperëndim të Sllovakisë, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.

Sipas shërbimeve të emergjencës, një nxënës dyshohet se ka sulmuar me një objekt të mprehtë disa persona brenda ambienteve të shkollës.

Si pasojë e plagëve, një mësuese 61-vjeçare ka ndërruar jetë. Ndërkohë, një fëmijë dhe një grua 44-vjeçare kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në spital.

Sipas autoriteteve shëndetësore, fëmija ndodhet në gjendje kritike, ndërsa gruaja ka pësuar një plagë në pjesën e gjoksit dhe po merr trajtim mjekësor.

Në vendngjarje janë angazhuar dy ambulanca tokësore dhe dy helikopterë të shërbimeve të shpëtimit.

Policia ka bërë të ditur se situata është nën kontroll dhe se aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Motivi i sulmit dhe rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar dinamikën e incidentit, ndërsa deri tani nuk janë bërë publike detaje të plota lidhur me të dyshuarin dhe mënyrën se si ka ndodhur sulmi.

Hetimet vijojnë.