“Shqipëria e Madhe”, Tirana i dërgon notë proteste, Serbia: S’e pranuam, e papranueshme

Tirana zyrtare njofton se i ka nisur notën e protestës Serbisë pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes Vulin se Edi Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, nisur nga deklarata në mbledhjen e dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të premten e kaluar se Porti i Durrësit do të jetë “de facto” i Kosovës.

Paralajmërimin për këtë hap e bëri vetë Edi Rama dy ditë më parë, ndërsa është zyrtarizuar, teksa sipas ministrisë së Jashtme është thirrur ambasadori serb në Tiranë dhe i është dorëzuar nota e protestës. Shqipëria kërkon dënimin dhe distancimin e Beogradit nga këto deklarata, që i cilëson fyese, referuar edhe termit ofendues që Vulin përdori për shqiptarët, “shiptarima”.

Por nuk mbyllet këtu, pasi Serbia është përgjigjur me të njëjtën monedhë duke bërë një notë proteste për Shqipërinë, që i është dorëzuar ambasadorit tonë në Beograd. Serbia shpreh indinjatë ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama sipas saj për heqjen e kufirit me Kosovën.

“Deklarata të tilla, të cilat nënkuptojnë bashkimin e Shqipërisë dhe provincës serbe të Kosovës dhe Metohisë dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, janë një arsye e justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera në rajon të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

E ndërsa Tirana zyrtare thotë se ia dorëzoi notën e protestës Serbisë, Beogradi thekson se i ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës serbe në Tiranë u ftua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë më 6 tetor për t’ia dhënë notën e protestës, ndërsa sipas tyre ai ka refuzuar ta pranonte “për shkak të “pikëpamjeve të papranueshme të shprehura në të” thotë ministra e Jashtme serbe.

Video:

Shiko tv shqip live