“Shengeni Ballkanik”, projekt gjeopolitik i SHBA-ve

Ka dallim të madh midis “versionit” Rama-Vuçiç dhe atij amerikan. Meqë i pari ishte më shumë një kalkulim Tiranë-Beograd, pa mbulesë reale. Ndërsa ky i Uashingtonit, është pjesë e një plani konkret, të atij të nënshkruar në Berlin më 2016. Përmes “Mini Shengenit Ballkanik” shqiptarët nuk do të kenë asnjë pengesë për të lëvizur në hapësirën tonë natyrale kombëtare. Ky projekt duhet parë nga këndi rajonal gjeopolitik i SHBA-së, thonë njohësit e zhvillimeve politiko-historike duke folur mbi “Mini Shengenin Ballkanik”
Shkup, 10 shtator – Marrëveshja e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Uashington parasheh edhe bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Në bazë të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen “Zonës së Mini-Shengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Selim Ibraimi nga Institute for Security Studies and Development (CSSD) vlerëson se ideja e “Mini Shengenit” është e mirë, por keq e prezantuar. Sipas tij, ky projekt duhet parë nga këndi rajonal gjeopolitik i SHBA-së. “Po, ideja është e mirë, por është prezantuar keq nga nismëtarët e idesë. Projekti duhet parë nga këndi rajonal gjeopolitik i SHBA-ve për të forcuar ekonominë rajonale me atë të amerikane. Mirëpo, këtu me rebalancimin amerikan – pra dhënie përparësi Serbisë, amerikanët po bëjnë një gabim strategjik në mes serbëve dhe shqiptarëve duke u bërë avokat i Beogradit. Diplomacia serbe arriti të bind Uashingtonin se mund të jetë bartës i projekteve amerikane dhe andaj SHBA po e mbështet fuqishëm Serbinë si për Shengenin Ballkanik, po ashtu edhe me problemet me Kosovën. Qeveritë e Kosovës do të ndeshen në probleme serioze me SHBA-të nëse nuk do ti zbatojnë marrëveshjet. Duhet një lobim i mire në Uashington për të bindur amerikanët të ndryshojnë qëndrimin ndaj Shengenit dhe në tërësi ndaj perspektivës së raporteve Kosovë-Serbi. Koha po punon për Serbinë”, deklaroi për KOHA, Ibraimi.

Studiuesi dhe historiani Jusuf Buxhovi thotë se në Uashington kishte një letër zotimesh midis dy palesh, pra ndaj Uashingtonit, dhe assesi ndonjë marrëveshje – siç thuhet, kjo duhet të dihet. Por, megjithatë, shton ai, ka dallim të madh midis “versionit” Rama-Vuçiç dhe atij amerikan. “Zotimet e të dy palëve edhe në atë mënyrë kanë rëndësi, meqë janë SHBA-të sponsorizuar të atyre pikave, që do të thotë se ato duhet të respektohen. Në këtë ‘pako’ bën pjesë edhe zotimi për Shengenin Ballkanik, siç thuhet. Ndonëse Kosova e ka kundërshtuar këtë, megjithatë ka dallim të madh midis ‘versionit’ Rama-Vuçiç dhe atij amerikan. Meqë i pari ishte më shumë një kalkyl Tiranë-Beograd, pa mbulesë reale. Ndërsa ky i Uashingtonit, është pjesë e një plani konkret, të atij të nënshkruar në Berlin më 2016, nga i cili, Kosova nuk humb asgjë, pos bëhet pjesë e integrimeve ekonomike ballkanike dhe evropiane. Natyrisht, se lojërat e politikanëve të papërgjegjshëm në Prishtinë, Tiranë e kanë anatemuar bukur shumë këtë koncept. Por, nën mbikëqyrjen amerikane, Shengeni ballkanik nuk paraqet kurrfarë rreziku që Kosova dhe Shqipëria ‘të gëlltitën’ nga Serbia, siç po manipulohet. Përkundrazi, aty hyhet si shtete të pavarura dhe kjo është portë e integrimeve të mëtutjeshme kah ato evropiane”, deklaroi për KOHA, Buxhovi. Ai thekson se kjo formë e bashkëpunimit si “përfitues” do t’i nxjerr ata që kanë koncepte ekonomike dhe jo dredhi për ta shfrytëzuar për përfitime personale siç ka ndodhur deri me tash te ne.

Njohësi i çështjeve politike në rajon, Alfred Peza thotë se për herë të parë në histori, përmes “Mini Shengenit Ballkanik” shqiptarët nuk do të kenë asnjë pengesë për të lëvizur në hapësirën tonë natyrale kombëtare. “Shengeni Ballkanik buron nga Procesi i Berlinit si një mundësi e jashtëzakonshme për 6 shtetet tona në Ballkanin Perëndimor, që të aplikojmë brenda hapësirës së një tregu të përbashkët prej afër 15-20 milionë banorësh, 4 liritë evropiane: Të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Shekulli XX ishte i ndarjes ideologjike, ndërsa i XXI i tregjeve dhe i zhvillimeve ekonomike në një botë pa kufij. Për herë të parë në histori, përmes ‘Mini Shengenit Ballkanik’ shqiptarët nuk do të kenë asnjë pengesë për të lëvizur në hapësirën tonë natyrale kombëtare. As në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoninë e Veriut, as në Malin e Zi, as në Serbi dhe as në Bosnje e Hercegovinë. Pra, e gjithë hapësira shqiptare në Ballkan mund të funksionojë pas kësaj, si një treg unik rreth 7 milionë banorësh, pa kufijtë dhe barrierat historike të derisotme. Nëse do të dimë që ta shfrytëzojmë siç duhet këtë shans, ky bashkim hapësirash lirie, do të bëhet pararendëse e integrimeve evropiane. Sepse nuk mund të ketë integrim të shqiptarëve në BE, nëse nuk integrohemi më parë në të gjithë hapësirën tonë kombëtare në Ballkan”, shprehet Peza.

Sipas tij, firmosja e marrëveshjes Kosovë- Serbi në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë i dha bekimin e SHBA realizimit të këtij projekti. “Integrimi i shqiptarëve përshpejton integrimin e rajonit. Integrimi i Ballkanit Perëndimor, evropianizon më në fund një hapësirë që deri dje ishte fuçia e barutit e Evropës. Ndërsa nesër, një hapësirë e re lirie dhe vlerash të përbashkëta me kontinentin mëmë të cilit i përkasim fizikisht, por ende jo, ekonomikisht dhe shpirtërisht”, nënvizon Peza. Ndryshe, “Mini Shengeni ballkanik” parash një rajon me treg pune dhe sisteme të unifikuara, kufij të hapur, lehtësira transporti dhe tregtie, joshës për investitorët e huaj! Një rajon që synon përmes bashkëpunimit mes vendeve të përshpejtojë afrimin me standardet e jetesës dhe vlerat e BE që të shkurtojë kohën e anëtarësim tek ky bashkim. Një Ballkan Perëndimor, që synon të garantojë 4 liri themelore: lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.