“Secili kërkon copën e vet”, Rama: Nard Ndoka e meriton, na bën të qeshim

Nga Elbasani ku po prezanton kandidatët për deputetë për këtë qark, Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish koalicionin e opozitës për të cilët tha se duan copën e vet në qeverisje.

Kreu i qeverisë përmendi Fatmir Mediun për të cilin u shpreh se kërkon të kthehet në qeveria, o karrigen s’ka. Sipas tij edhe Dash Shehi, Shpëtim Idrzi dhe Vangje Dule duan të kthehen në qeveri. Ndërsa për Nard Ndokën tha se është më i vlefshmi nga të gjithë se na bën të qeshim.

“Nuk kanë reflektuar për asgjë. Duan sot të marrin votën për të qeverisur. A e kuptoni që të gjithë këto që janë pjesë e këtij koalicioni janë pengmarrësit, të cilët e kanë të pamundur të qeverisin, pasi secili kërkon copën e vet. Duhet ta çojmë më tutje dhe jo ta kthejmë mbrapa. Fatmir Mediu kërkon të kthehet në qeveria, o karrigen s’ka. Dash Shehi, Shpëtim Idrzi dhe Vangje Dule duan të kthehen në qeveri. Nard Ndoka do të kthehet në qeveri, por ky është më i vlefshmi nga të gjithë këta se na bën të qeshim. Do të jetë qeveria e Monikës, dhe e Ilir Metës. Mandati që po mbyllim është një mandat i thyer në mes nga dy goditje të tmerrshme, tërmeti dhe pandemia dhe ja kemi dalë. Shikoja dje në Itali rradhët që po bëheshin në pikat ku jepen ushqime falas për njerëzit. Nuk është një situatë rozë askund. Por falë përpjekjeve të mëdha që kemi bërë ja kemi dalë. Dhe do t’ja dalim deri në fund.’- tha Rama.