Rama: Serbia ta njohë Kosovën, që të kemi paqe përfundimtare në Ballkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se në Ballkan ende nuk ka paqe përfundimtare, duke iu referuar veçanërisht problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.

Rama, në një intervistë për televizionin francez “France24”, thotë se të gjitha vendet e rajonit janë të ftuara t’i bashkohen kësaj nisme rajonale.

“Në nismën ‘Ballkani i Hapur’ dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit pa parakushte, por ideja është të mos mbetemi viktimë e vetos së dikujt, një apo një tjetri, që nuk duan atë apo atë. Ne duam të bëjmë diçka të rëndësishme për njerëzit, për rajonin”, ka thënë Rama, përcjell tch.

“A është një proces i vështirë? Po, është shumë i vështirë. Nuk është i lehtë, sepse në të njëjtën kohë është një proces paqeje. Ne ende nuk kemi paqe përfundimtare në Ballkan, sepse ka ende problem për t’u zgjidhur dhe veçanërisht problemi mes Serbisë dhe Kosovës që është një shtet i pavarur, sovran dhe që duhet të njihet nga Serbia”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Më tej ai ka thënë se “në të njëjtën kohë ka mësime për t’u nxjerrë nga historia. Le të citojmë, meqë po flasim frëngjisht, Francën, që na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Ajo që bëri Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore është rruga”.