Rama: Monika do qeverinë për të futur në administratë çetën e saj, Tim Idrizi kërkon Ministrinë e Arsimit, mjerë vendi nëse vijnë në pushtet

Kryeministri Edi Rama teksa ka prezantuar ditën e djeshme kandidatët e PS në Elbasan ka hedhur akuza ndaj opozitës. Në fjalën e tij Rama u shpreh se kryetarja e LSI Monika Kryemadhi kërkon që të vijë në qeveri në mënyrë që më pas të bëjë pjesë të administratës atë të cilën Rama i cilësoi si çeta e saj.

Ai sulmoi koalicionin opozitar, teksa bëri me dije se PD dhe LSI kanë një kontratë, ku sipas tij, pjesa e fshehtë e saj tregon përgjegjësinë që do të marrë nëse vjen në qeveri Kryemadhi. Mes të tjerash, kryeministri theksoi se të gjithë ata që janë pjesë e koalicionit, janë pengmarrësit e çdo mundësie për të zhvilluar një qeveri normale.

“Ata kanë një kontratë, ku pjesa e fshehtë thotë se çfarë do të marrë në përgjegjësitë e qeverisë së nesërme Monika Kryemadhi, bashkë me gjithë çetën e saj të harbuar. Ndërkohë demokratëve iu thuhet votoni PD, po për çfarë? Për të marrë Monika Kryemadhin, apo për të rreshtuar në qeverinë e nesërme Gon Dukën, e plot të tjerë që çfarë mund t’i ofrojnë Shqipërisë e shqiptarëve, kur i kanë pasur gjithë shanset për të treguar kush janë dhe e kanë treguar”, – tha ai.

Ndër të tjera, Rama hodhi akuza edhe ndaj presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai e akuzoi Ilir Metën dhe Sali Berishën jo vetëm si pengmarrës të Lulzim Bashës, por edhe sfidues të SHBA dhe Bashkimit Europian me planin e tyre për të penguar drejtësinë.

“Koalicioni opozitar është KÇK, kap ça të kapësh, fut kë të fusësh. Është një koalicion ku Saliu-Iliri-Monika i bëjnë karshillëk dynjasë, SHBA, BE, rajonit tonë, me një program që është i njëjti, ngjan si dy pika uji me programin e prodhuar, të dështuar, duke pasur mungesën e plotë të sëkëlldisë më të vogël me rikthimin e taksës së sheshtë”, – tha ai.

Kryeministri Rama ka sulmuar edhe kreun e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi për të cilin ngriti pyetjen se çfarë mund të ndodhë nëse ai merr në drejtim Ministrinë e Arsimit. Ai madje ka hedhur edhe hamendësime mbi ndarjen e posteve të qeverisjes se opozitës, nëse vjen në pushtet.

“Po sikur nesër ministrinë e Arsimit ta marrë Tim Idrizi e di çfarë ju gjen juve? Shëndetësia të rikthehet te LSI-ja për shembull që licenca e infermierit zëvendësohet me teserën e partisë. Agron Duka ka firmosur për të qenë ministri i Bujqësisë, Fatmir Mediu kërkon të kthehet në qeveri, o karrigen o s’ka edhe Nard Ndoka që në fund të fundit i takon më shumë se na bën të qeshim”, – tha ndër të tjera Edi Rama.

Rama akuza Bashës

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar edhe fushatën e kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili së fundmi ka zhvilluar takime në turma njerëzish, megjithëse vendi ndodhet në periudhë pandemie. Rama u shpreh se Basha po rrezikon jetën e qytetarëve duke bërë fushatë pa respektuar asnjë masë. Kryeministri theksoi se nuk mund të vazhdojë vaksinimi intensivisht nga njëra anë dhe nga ana tjetër Basha të abuzojë në këtë mënyrë.

“Ne po bëjmë detyrën tonë për të respektuar rregullat duke respektuar njerëzit, duke respektuar të drejtën themelore të secilit për jetën dhe për shëndetin. Të tjerët po shfaqin një nga tiparet e tyre më të këqija, ky që po shfaqin është një tipar i politikës së rrugës dem babadem me gjoja grumbullime spontane tek vetura e Boratit, i cili del mbi veturë dhe përshëndet dasmorët klitharalk me dy gishta e flamuj pa marrë aspak parasysh që kështu rrezikohet shëndeti i tyre e i familjarëve të tyre. Nuk mund të vaksinojmë intensivisht nga njëra anë dhe të tallemi nga ana tjetër”, tha Rama.