Postimi i presidentit serb, Pandeli Majko analizon çfarë fshihet pas veprimit të Vuçiç: Provokim i nivelit të lartë

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko ka komentuar publikimin në rrjetet sociale të hartës të Kosovës me flamurin serb nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Sipas Majkos, ky veprim është një provokim i niveleve të larta dhe thotë se Vuçiç po përpiqet që të faktorizohet në opinionin e brendshëm të Serbisë.

“Mendoj përderisa kjo del në rrjetin social të presidentit të një shteti, provokimi është i nivelit më të lartë. Është jashtë çdo dyshimi se është një akt i papërgjegjshëm. Mendoj se po përpiqet të faktorizojë veten në opinionin e brendshëm publik sepse është jashtë çdo diskutimi që kredibiliteti i Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare me të tilla lodra, vetëm ulet”, deklaron Majko.

Deklaratën e bërë më parë nga presidenti serb se sa të jetë në këtë post nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ish-kryeministri i Shqipërisë tha se Vuçiç po kërkon të bëhet lojtarë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare në këtë situatë.

“Për momentin mendoj që z.Vuçiç po përpiqet që të bëhet i rëndësishëm në marrëdhëniet evropiane duke u përpjekur të ofrohet si zgjidhja e problemit kur në fakt është problemi vete. Është një histori e vjetër që shpresoj që t’i jetë bërë mësim Beogradit zyrtar. Vuçiçi nuk do të jetë i përjetshëm në postin e tij dhe besoj me kalimin e kohës kriza do të gjejë zgjidhje”, përfundoi Majko.

Mbrëmjen e djeshme, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka bërë bujë në rrjet me anë të një postimi në Instagram që tregon hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb.

Fotoja është shoqëruar me nënshkrimin, “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.