Porti i Durrësit për Kosovën, nuk përmbahet mitropoliti grek: Shqiptarët po bashkohen

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbledhjes së përbashkët mes qeverive se “porti i Durrësit do të jetë de facto i Kosovës”. Kjo deklaratë ka shkaktuar jo pak reagime në Greqi.

Mitropoliti i Dropullit, Pogonit dhe Konicës, Andrea Konitsis, më anë të një reagimi, shprehet se me këtë vendim Shqipëria po shkon drejt aneksimit të Kosovës me qëllim përmbushjen e ëndrrës së “Shqipërisë së Madhe”.

Kjo deklaratë, sipas Konitsis kaloi pa “u vërejtur nga media greke dhe askush nuk i kushtoi vëmendje.” Megjithatë shton ai, vendimi i Ramës ka një rëndësi të madhe. Sepse, sipas tij, Shqipëria po vazhdon me aneksimin e Kosovës, ku jetojnë 90% e shqiptarëve.”

Andrea Konitsis vë në dukje po ashtu, se sipas tij, prania turke është veçanërisht e fortë në çështjet publike, në sektorin ushtarak, “edhe në fushën fetare me krijimin e një rrjeti xhamish.”

“Sidoqoftë, nëse të drejtat e njerëzve të Epirit të Veriut nuk janë të garantuara plotësisht, nuk duhet të mendohet për ndonjë anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” përfundon Konitsis.

Deklarata e plotë

“Sipas deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, Shqipëria ka vendosur të ndryshojë kufirin e saj me Kosovën.

Në veçanti, ai theksoi se porti i Durrësit në detin Adriatik do të bëhet një “port de facto i Kosovës”, dhe madje njoftoi një marrëveshje përkatëse.

Deklarata kaloi pa u vërejtur nga media greke dhe askush nuk i kushtoi vëmendje.

Sidoqoftë, vendimi i Ramës ka një rëndësi të madhe. Sepse, sipas tij, Shqipëria po vazhdon me aneksimin e Kosovës, ku jetojnë 90% e shqiptarëve.

Dhe kjo nuk është një strategji e re e fqinjit. Që nga viti 2008, kur kosovarët u pavarësuan nga Serbia, Shqipëria ka synuar aneksimin e Kosovës, pasi ëndrra për një “Shqipëri të Madhe” mbetet e gjallë.

Sidoqoftë është karakteristike që ky vendim i Shqipërisë u mor në një kohë kur kriza greko-turke po zhvillohet e ku neo-sulltani Erdogan po sulmon në shumë fronte.

Prania turke është veçanërisht e fortë në çështjet publike, në sektorin ushtarak, madje edhe në fushën fetare me krijimin e një rrjeti xhamish.

Për më tepër, Erdogan po monitoron zhvillimet elektorale në Shqipëri, një fakt që duket se është me interes të veçantë për të, ndërsa Serbia e pafuqishme nuk është në gjendje të bllokojë këto zhvillime.

Ndërkohë, qeveria greke duket se dëshiron pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por opozita nuk tregon asnjë interes. Kështu, helenizmi i Vorio Epirit, siç qëndrojnë gjërat, mbetet, edhe një herë i vetëm dhe i pafuqishëm, përballë fanatizmit të Edi Ramës, i cili, së bashku me fanatizmin e Erdoganit, formojnë një zinxhir të fortë rreth nesh.

Sigurisht, ne nuk anashkalojmë as pandeminë e koronavirusit, situatën kritike në ekonomi dhe arsim, as përpjekjet e qeverisë për të kapërcyer këto kriza. Por, në të njëjtën kohë, është e nevojshme që shteti të shikojë edhe çështjet përtej detit në mënyrë që të mos kemi ndonjë zhvillim të pakëndshëm.

Sidoqoftë, nëse të drejtat e njerëzve të Epirit të Veriut nuk janë të garantuara plotësisht, nuk duhet të mendohet për ndonjë anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, përfundoi mitropoliti grek. /Abcnews.al