Për 24 orë vetëm një viktimë në Gjermani si pasojë e Covid-19

Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani është shënuar një i vdekur nga koronavirusi.

Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i viktimave të sëmundjes së re në ekonominë më të fuqishme evropiane shkoi në 9,160, sipas faqes “Worldometers”, transmeton Express.

Përpos rasteve fatale, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 529 infektime të reja dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 201,372, shkruan “The Guardian”.

Ndryshe, qeveria gjermane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.

Ndonëse është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, Gjermania ka regjistruar shumë më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja.