OBSH nuk heq dorë nga thirrjet që shkaktojnë panik, del me një paralajmërim të ri për virusin dhe ngre alarmin, ja çfarë thotë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ndalet me skenaret për përhapjen e një tjetër alarmi duke lëshuar paralajmërimin e radhës për përkeqësimin e situatës. OBSH shprehet se pandemia e koronavirusit është duke u zgjeruar më shpejt se çdo rast tjetër, që prej kohës kur ka shpërthyer virusi.

Vetëm Shtetet e Bashkuara më 1 korrik, kanë raportuar 50,000 raste të të infektuarve brenda ditës.

Shkalla e infektimit javën e kaluar ka arritur në nivelin më lartë, kanë treguar të dhënat e OBSH-së.

Shefi i kësaj Organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se numri i rasteve të infektimit brenda ditës ka arritur në mbi 160,000 në nivel global.

Rritja e numrit të të infektuarve ka detyruar zyrtarët amerikanë, sidomos në shtetet jugore dhe ato perëndimore, që të kthejnë mbrapsht vendimet për hapje të restoranteve dhe plazheve, në prag të shënimit të pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik.

Përhapja e infeksioneve në SHBA u shoqërua me paralajmërime nga eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, Dr. Anthony Fauci, i cili tha në një seancë informimi në Senat se ritmet e përhapjes së infeksionit mund të arrijnë në 100 mijë raste të reja në ditë nëse nuk merren masa.

“Pa diskutim, për momentin nuk e kemi problemin nën kontroll,” tha Dr. Fauci. Ai paralajmëroi se reagimi me masa të përqëndruara vetëm tek shtetet që aktualisht po regjistrojnë keqësim të problemit, “e vë të tërë vendin në rrezik”.

Më shumë se 127,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, mbi 2 milionë e 636 mijë kanë rezultuar pozitivë dhe miliona kanë humbur punën. Ekonomia u tkurr mjaft në tremujorin e parë dhe pritet të shënojnë rënie edhe më të thellë për tremujorin prill-qershor.