“Nuk më përqafoi kurrë” – Sylvester Stallone rrëfen fëmijërinë e dhimbshme

Aktori i njohur amerikan, Sylvester Stallone, ka rrëfyer për një fëmijëri të vështirë, të karakterizuar nga dhuna, mungesa e përkujdesjes prindërore dhe ndjenja e braktisjes.

Në një intervistë për “The New York Times”, Stallone tregoi se një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Maryland me babanë e tij, të cilin e përshkroi si një person fizikisht të dhunshëm.

Ai kujtoi edhe një episod të dhimbshëm nga fëmijëria, kur babai e kishte rrahur rëndë pasi ishte kthyer nga dyqani.

Stallone foli gjithashtu për marrëdhënien me nënën e tij, duke treguar se ajo pothuajse kurrë nuk e kishte përqafuar.

Gjatë fëmijërisë, aktori u dërgua të jetonte në një konvikt, ndërsa prindërit e vizitonin vetëm rreth një herë në muaj. Sipas Stallone, këto përvoja lanë gjurmë të thella tek ai dhe ndikuan në formimin e karakterit të tij.

Ai beson se vështirësitë e përjetuara gjatë atyre viteve kontribuuan edhe në forcën që më vonë e mishëroi përmes disa prej personazheve të tij më të njohura, përfshirë John Rambo.

“Më bëri shumë të fortë”, tha Stallone, duke pranuar se kjo forcë ishte krijuar “në mënyrën e gabuar”.

Megjithatë, mes kujtimeve të vështira, aktori solli në vëmendje edhe një moment të rrallë afërsie me të atin. Ai kujtoi se, kur ishte rreth nëntë vjeç, e kishte zënë gjumi në makinë dhe babai i kishte vendosur kokën në prehër, ndërsa i kishte vënë dorën mbi kokë.

“Dhe këtë nuk e harrova kurrë”, u shpreh Stallone.

Rrëfimi i aktorit tregon një tjetër anë të jetës së tij, përtej personazheve të fortë që ka interpretuar gjatë karrierës së tij në Hollywood. /Telegrafi/