Ndërroi jetë mjeku i parë nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, po rritet zhgënjimi i mjekëve prej mosrespektimit të masave

Mjeku i parë, viktimë e virusit korona. Nga komplikimet që i ka shkaktuar virusi, në Spitalin e qytetit “8 Shtator” ndërroi jetë mjeku Arifikmet Dehari, urolog nga Tetova.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe këtë mëngjes tha se Dehari ishte hospitalizuar për shkak të problemeve neurologjike por ka dalë pozitiv edhe në testin për Kovid-19. Pas 15 ditëve mjekim në spital, sot ndërroi jetë.

“Mjeku Dehari, i cili kishte edhe disa muaj për të dalë në pension, është mjeku i parë i cili ndërroi jetë për shkak të komplikimeve me Kovid-19. Shpreh keqardhje dhe ngushëllime familjes së tij. U apeloj kolegëve të mi, punëtorëve shëndetësorë, të ruhen dhe të mbrohen në vendin e tyre pune duke i respektuar protokollet, por edhe jashtë vendit të punës. U apeloj edhe qytetarëve t’i respektojnë masat, të mbrohen veten, punëtorët shëndetësorë dhe të gjithë bashkëqytetarët e tyre”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Tani për tani, nga Reparti i Urologjisë nuk ka informacione nëse ka persona pozitiv në Kovid-19 nga kontakti me mjekun dhe sa persona janë në izolim. Mjekët që nga fillimi i pandemisë janë në linjën e parë në luftën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Personeli mjekësor është tepër i lodhur dhe në fund të fuqisë. Punëtorët shëndetësorë nga ky spital u apelojnë autoriteteve kompetentë që sa më shpejtë që është e mundur të gjendet zgjidhje për problemin që të mos gjendet në kolaps sistemi shëndetësor në spitalin e vetëm në të cilin po shërohen rastet më të rënda me Kovid-19.

“Këtë fundjavë kapaciteti i spitalit nuk është mbushur, spitali mobil me kapacitet prej 70 shtretërve dhe kushte të plota për mjekim të rasteve më të rënda ku nevojitet përkrahje oksigjeni, po ashtu është i lirë. Sa i përket lodhjes së punëtorëve shëndetësorë, kjo gjë është evidente, por më i madh është zhgënjimi ynë për shkak të mosrespektimit të masave dhe kujdesit të pamjaftueshëm për veten e tyre”, theksoi Milena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Filipçe u bën thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat, të mbrohen veten, punëtorët shëndetësorë dhe bashkëqytetarët e tyre.