Meta-Kryemadhi në panik, nisin të boshatisin llogaritë bankare, tërheqin 39 mijë euro dhe 59 mijë paund, vajzës i japin 17 mijë euro

Zbardhet pasuria e presidenti Ilir Meta për vitin 2020. Gazeta “SOT” ka siguruar pranë Inspektoratit të Larë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deklarimet për vitin 2020, ku bien në sy shumë elementë.

Së pari familja presidenciale ka nisur të boshatisë llogaritë bankare. Nuk dihet se çfarë ka ndikuar, nëse ishte fushata zgjedhore apo frika nga drejtësia e re, por Monika Kryemadhi ka tërhequr nga llogaritë e saj bankare 39 mijë euro dhe 59 mijë paund. Nëse shohim me radhë deklarimet e Metës dhe Kryemadhit, sipas deklaratave pranë ILDKP, presidenti ka deklaruar: Pakësim në llogarinë personale në lekë, 273.731 lekë; Shtim llogarie e përbashkët Ilir Metaj & Besar Metaj, 1 073 lekë. Ka deklaruar të ardhurat nga paga, 1981.114 lekë dhe të ardhurat nga dietat, 600 Euro dhe 960 Dollarë.

Monika Kryemadhi ka deklaruar: Përfitime nga shitja e 13 apartamenteve vite më parë, vijojnë pagesat në 3 kontrata: 10 000 Euro; 38.084 Euro; 2.940 Euro; Llogaria në Euro pakësuar, 39. 459 Euro; Llogaria në paund pakësuar, 59 930 GBP; Shtim në llogarinë në lek Bora Metaj & Monika Kryemadhi, 6.033 Lekë; Pagë kalimtare ISSH, 940.620 lekë; Over draft VISA Card, shuma e shlyer deri më 31 dhjetor 2020, 1.836.587 Lekë; shuma e mbetur si detyrim 394.587 Lekë; Over draft MASTER Card, 1.564 Euro detyrime. Po ashtu edhe llogaritë e fëmijëve janë pakësuar. Në deklaratë bëhet me dije se është pakësuar llogaria e përbashkët Besar Metaj dhe Bora Metaj me 8.950 paund. Ndërkohë Kryemadhi i ka kaluar vajzës së saj në Visa Card, 17 000 Euro.

Pasuritë e viteve të shkuara

Deklarimet e para të Metës në ILDKP datojnë që prej vitit 2003 dhe në këtë vit presidenti Ilir Meta ka deklaruar apartament 2+1 dhe ka pasur në pronësi vetëm 25 për qind të tij. Po ashtu ka deklaruar një banesë në Golem 327 m2 blerë 60 mijë dollarë, të cilat janë marrë kredi në bankë.

Por e njëjta banesë 3 vite më pas është shitur 300 mijë euro. Po në vitin 2003 zoti Meta ka deklaruar pagën e tij si deputet dhe si ministër. Viti 2004 dhe 2005 nuk kanë sjellë ndryshime për pasurinë e presidenti aktual, ndërsa në 2006 janë shtuar të ardhurat e bashkëshortes, zonjës Monika Kryemadhi, sot drejtuese e LSI. Interesant është fakti se në vitin 2004 u themelua dhe LSI. Në vitin 2006 të ardhurat e Metës dhe Kryemadhit janë shtuar me 300 mijë euro, pasi kanë shitur banesën në Golem.

Në vitin 2007 Meta ka deklaruar pagën e tij si deputet, ndërsa Kryemadhi pagën si anëtare të Këshillit Bashkiak. Por kryetarja e LSI ka deklaruar dhe blerje 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Në vitin 2008 Meta dhe Kryemadhi kanë deklaruar dhe llogaritë e tyre të para në bankë. Po ashtu kanë deklaruar dhe të ardhurat nga puna. E njëjta situatë dhe në vitin 2009. Por në vitin 2010 dhe për koincidencë vit kur LSI ishte në qeveri me PD, pasuria e tyre ka nisur të lëvizë. Meta ka deklaruar shtesë në llogarinë bankare Credins Bank 135.318 lekë, apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada me vlerë 400.000 euro, ku është deklaruar se 200 mijë euro janë marrë kredi, ndërsa 200 mijë euro kanë qenë në gjendje cash. Ka deklaruar pagën si zëvendëskryeministër dhe ministër Ekonomie, 1.768.385 lekë.

Sipas deklarimeve të vjetra, ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit. Po ashtu Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro. Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë.