Mediet serbe shkruajnë për idenë e humbur kreative të Pacollit, për lobim për njohje nga Spanja

Deputeti dhe lideri i Aleancës Kosova e re, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar për rastin e humbur dhe idenë e tij kreative që së bashku me disa figura edhe sportistë të njohur të kërkohet nga Spanja njohja e Kosovës.

Sipas tij, është humbur rasti i mirë për relaksimin e raporteve me Spanjën, duke shfrytëzuar edhe ndeshjen kualifikuese mes Kosovës edhe Spanjës për kualifikime në Kampionatin Botëror të Katarit.

“Ndeshja kualifikuese mes Kosovës edhe Spanjës për kualifikime që zhvillohet në Spanjë, ishte mundësi e mirë dhe është dashur të shfrytëzohet për lobim, me qëllimin e ndryshimit të qëndrimit të këtij vendi dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Ai në një postim të gjatë të elaborimit të idesë së tij kreative, ka shkruar se ideja ka qenë që ai së bashku me një grup ku do hynin publicisti Veton Surroi, kryeministri Albin Kurti dhe dy futbollistët nga Kosova të përmasave botërore Xherdan Shaqiri edhe Granit Xhaka, do lobonin për të ndryshuar qëndrimin spanjoll dhe për të njohur Kosovën.