Krasniqi del me një propozim: Kosova t’i shpall non-grata këta persona

Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë se institucionet e Kosovës, duhet të hartojnë një listë të personave non grata, të cilët e kanë përkrahur politikën gjenocidale të kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës.

Ai ka thënë se në këtë listë do të duhej të futeshin shkrimtarë, akademikë, këngëtarë e gazetarë që kanë përkrahë politikën serbe të gjenocidit, përcjell Bota sot. Reagimi i Krasniqit vjen pas debatit lidhur me ftesën për këngëtarin boshnjako-serb Goran Bregoviq, nga Bashkia e Korçës, për të kënduar në “Festën e Birrës”.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

“Institucionet tona shtetërore duhet të hartojnë një listë të personave non grata, ku duhet të përfshihen të gjithë ata që e kanë përkrahë politikën gjenocidale të Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës, krahas atyre që e kanë zbatuar.

Këtu do të duhej të hynin edhe shkrimtarë, akademikë, këngëtarë e gazetarë që kanë përkrahë politikën serbe të gjenocidit.

Ashtu do të zgjidhej problemi edhe me grupe si “Ribla Corba”, me Goran Bregoviqin e të gjithë të tjerët si ata.

Nëse SHBA harton lista, që ndalojnë hyrjen në SHBA të personave armiqësor ndaj saj, pse nuk e bëjnë edhe institucionet tona, e pakta ndaj atyre që na kanë shkaktuar vuajtje e dëme të tmerrshme?!” – shkruan ai.