Jozefina Topalli dhe deputetët e Shkodrës braktisin “foltoren” e Berishës, ish-kreu i PD shantazhon Bashën me dosje e përgjime

Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe deputetët e PD në Shkodër kanë refuzuar “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit u ndal dje në Shkodër duke mbajtur takimin e radhës për të fituar mbështetjen e bazës në luftën kundër Bashës. Përveç thirrjeve dhe ekzaltimit të turmave, ajo që ra në sy është fakti se Berisha në këtë takim nuk pati asnjë deputet apo personalitet të ri krah tij. Jozefina Topalli që pritej të shfaqej aty, nuk ishte fare e pranishme. Ndërkohë asnjë nga deputetët e PD në Shkodër nuk ndodhej në atë takim. Të pranishëm në “Foltoren”e Sali Berishës ishin Flamur Noka, Gent Strazimiri, Aldo Bumçi, Klevis Balliu, nënkryetarja e PD Shkodër, Irena Shestani, Sekretari Aleksandër Marleci, ish-kryebashkiaku dhe ish-deputeti në 2017, Lorenc Luka, anëtarë të kryesisë së PD. Në takim, nuk raportohet të ishte e pranishme, Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë Shkodër.

Nga takimi i djeshëm në Shkodër, Berisha lëshoi sërish mesazhe kërcënuese dhe shantazhuese ndaj Bashës. Kur ishte në Durrës ai e paralajmëroi se bisedat që kanë bërë në zyrë i ka të dokumentuara. Por dje ai e përmendi sërish këtë gjë, duke kërcënuar Bashën se është gati t’i publikojë.

“Në këtë iPad kam shumë dokumente, që faktojnë se Lulzim Bashës i kam thënë në zyrën time shumë gjëra. Ato gjëra që keni kërkuar ju. Unë këtu kam shumë dokumente, unë mund të faktoj shumë gjëra që i kam thënë Lulzim Bashës në zyrë ato që i keni kërkuar dhe ju dhe e kam kritikuar. I kam kërkuar të japë dorëheqjen në 2017, kam thënë se kryetari duhet të jepte dorëheqjen. Por nuk kam ndërhyrë në problemet e brendshme të partisë dhe nuk kisha projekt për rikthimin në krye. Po të hyja pa projekt vetëm se shkaktoja kaos. Por a ishte e drejtë të mos ndërhyja në problemet e PD? S’e kam sulmuar kurrë publikisht. Ky është gabimi im”, tha Berisha.

Ish-kryeministri duket se i trembet një bashkëqeverisje mes PD dhe PS. Ai kërkoi që të mos bëhet asnjë ndryshim Kushtetues pa mbledhur Kuvendin e PD.

“Opozita nuk fitoi në asnjë nismë përveç procesit të dekriminalizimit. Po marrim një moment: keni dëgjuar që po bëjnë ndryshime kushtetuese. Po më thoni mua ju, nga cila marrëveshje me Edi Ramën ka fituar PD-ja? Asnjërën prej tyre, të gjitha i ka fituar Edi Rama. Ndaj unë dua t’u them hiqni dorë nga marrëveshjet pa miratim paraprak nga Këshilli Kombëtar i PD. Partia ka forumet. Nga marrëveshja në marrëveshje kemi shkuar nga disfata në disfatë”, tha Berisha.

Ai u ndal dhe te ideja e një bashkëqeverisje mes PD dhe PS duke nisur me dezinformimet.

“Gjatë zgjedhjeve, dy persona të afërt me të gjitha palët, më kanë ardhur në zyrë dhe më kanë pyetur: çfarë mendon për një koalicion PD-PS? U kam thënë që jam absolutisht kundër dhe se kjo nuk mund të pranohet. Kjo ka qenë. U garantoj që të dy ata, nuk erdhën rastësisht në zyrën time, por ata ishin të dy të huaj, ata ishin me një mision për të marrë mendimin tim”, tha ai. Më tej Berisha ka vijuar me sulmet ndaj Bashës, ndërsa vijoi ta paralajmërojë se me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar do e shkarkojë.