“Je tamam zdroms, rregullon Tiranën dhe s’prek një gjë në shtëpinë tënde”, Erion Veliaj tregon çfarë i thotë gjithmonë Ajola

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuar së fundmi tek “Rudina”, ku gjatë intervistës foli për jetën e tij bashkëshortore me Ajola Xoxën, djalin Kajan, infektimin me Covid e për fëmijërinë e tij.

Gjatë emisionit, Veliaj sqaroi fjalën e famshme që ai ka përdorur ndaj çunave shqiptarë, “zdroms” duke treguar se edhe bashkëshortja e thërret me këtë term.

“Shiko unë jam shumë i përgjegjshëm dhe vërtet bëj humor dhe them ne çunat jemi zdromsa, e di çfarë domethënë zdromsa? Se shumë njerëz ofendohen dhe them pse ofendohesh për diçka që nuk e kupton? Ofendohen se janë i një grupimi politik dhe po e thashë unë, është gjë e keqe. Kur ishim të vegjël, nga varfëria ne luanim me peta, me cingla, me pulla, loznim këto lojëra kala dibrançe dhe me kopaca.

Dhe kur ti shkëmbeje, si pulla, letra çëmçakëzi, kishte një lloj tregu informal të çunave që shkëmbeni në këtë lojën me kopaca. Ti mund ta shikoje me sy që ishte i drejtë, por mënyra si ‘zyrtarisht’ testohej nëpër lagje, sa i drejtë ishte një kopac, ishte kur e gjuaje me një shënjestër. Nëse kishte një trajektore të drejtë ishte i vërtetë dhe ia vlente të shkëmbehej.

Por nëse fillonte drejtë dhe devijonte quhej zdroms. Gjuajtja ishte drejtë, qëllimi ishte i mirë, por devijonte rrugës. Unë e vuaj në shtëpi këtë se nëse prishet një gjë në shtëpi, prishet bojleri, digjet një llapmë, duhet ngulur një kornizë, unë gjej gjithmonë justifikime pse s’bëhet, ja se erdha vonë, ja se ika herët. Dhe Ajola thotë: ‘Ti qofsh, të rregullosh gjithë Tiranën dhe mos të prekësh gjë me dorë në shtëpinë tënde, ju jeni tamam zdromsa’.

Gratë shqiptare janë të mrekullueshme, por një gjë që ndodh është se kur rrisin çunat i llastojnë shumë. Dhe ajo që më pëlqen është kur Ajola bën punët dhe Kajan merr fshesën, që të jetë i dobishëm. Dhe nuk e dekurajoj sepse kemi nevojë t’i rrisim çunat që të vegjël me një dashuri për punën dhe për punët e shtëpisë, jo vetëm për punët e mëdha të qytetit. Dhe them që atë energji dua t’ia kanalizojë në energji kreative, ka shumë qejf të vizatojë, të stivosë gjëra”, – u shpreh Veliaj.