Italia ka shitur gabimisht çaj me kokainë për disa vite

Një çaj bimor që përmban kokainë ka qenë në shitje në dyqanet e Italisë për disa vite, është zbuluar kohët e fundit.

Zbulimi u bë pasi një shofer autobusi 38-vjeçar nga Gjenoa kishte pirë këtë çaj dhe pas testimeve për këtë substancë ai kishte dalë pozitiv.

Shoferi, që është bërë i ditur vetëm sipas emrit Roberto, insistoi në pafajësinë e tij dhe tha se kishte pirë vetëm një filxhan çaj “delisse alla coca” një ditë më parë, raporton The Local.

Doktori i tij i kërkoi atij që t’i sillte qeset e çajit në zyrën e tij, pasi shoferi i autobusit deklaroi se pija e kishte bërë atë të ndjehet më mirë gjatë vozitjes.

Pas pirjes së një filxhani çaj, doktori e testoi atë dhe testi doli pozitiv për kokainë, thuhet sipas La Repubblica.

Më pas u lajmëruan autoritetet dhe ato hetuan dyqanin i cili e shiti produktin. Autoritetet gjetën se pronari i dyqanit kishte të gjithë dokumentacionin në rregull dhe kishte blerë në mënyrë legale çajin nga një çaj-shitës nga Milano.

Policia është urdhëruar që të konfiskojë çajin bimor pas konfirmimit se ai përmbante nivele të kokainës.