Ishte një nga firmëtaret, por nuk do ta votojë marrëveshjen në Parlament! Ambasadorja Yuri Kim jep mesazhin e fortë për Rudina Hajdarin

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka lëshuar një mesazh mjaft të fortë ndaj klasës politike. Ajo duket e kënaqur nga marrëveshja që u firmos nga pjesëtarët e Këshillit Politik, pas 18 orë negociatash në rezidencën e saj.

Synimi për ne, për Shtetet e Bashkuara, në mbështetjen e reformës zgjedhore ishte shumë i qartë. Ka një synim imediat, i cili është të mbështesim Shqipërinë të përmbushë kërkesat për anëtarësim në BE. Pra, një synim shumë specifik… Dhe kishte një lloj urgjence. Sepse bota në Shqipëri përpara 25 marsit është ndryshe nga bota pas 25 marsit. Tani është diçka reale, me kërkesa reale, me afate reale. Dhe, kur disa nga ne pamë që negociatorëve do t’iu hynte në punë pak mbështetje ekstra, shkuam ta ofronim atë dhe u prodhua diçka. E di nga të lexuarit në median sociale dhe nga bisedat me njerëzit që ka dëshirë për ndryshim më të madh dhe mendoj se kjo nuk është diçka që më takon mua ta vendos. Është diçka që i takon popullit shqiptar ta vendosë dhe i takon parlamentit”, tha ajo në një intervistë ekskluzive në A2.

Këshilli Politik është mbledhur edhe pas asaj marrëveshje që u përshëndet nga SHBA dhe BE, ndërsa një prej anëtarëve të tij, Rudina Hajdari tha se nuk do ta votonte marrëveshjen nëse nuk arrihej më shumë.

“Nuk mendoj se më takon të them nëse ka nevojë apo jo për më shumë ndryshim. Detyra ime është të ndihmoj Shqipërinë të hyjë në BE dhe, në këtë kuptim, marrëveshja që doli më 5 qershor e përmbush atë synim ndaj aty jam e përqendruar. Nëse ka dëshirë për më shumë, mendoj që siç thashë në Twitter për takimin me Rudina Hajdarin, e respektoj atë. Nuk do të thotë që jam në ballë, nuk do të thotë që jam në fund fare, por do të thotë në mënyrë të mirëfilltë që e respektoj dëshirën e popullit shqiptar për më shumë”, tha ambasadorja.

“Mendoj se Rudina dhe disa persona të tjerë kanë një detyrë shumë të vështirë. Ata që qëndruan në parlament bënë gjënë e duhur. Siguruan që demokracia të vazhdonte të funksiononte në Shqipëri. Mendoj se është diçka e mrekullueshme që janë ambiciozë për popullin shqiptar, që duan më shumë e më shumë. Në një pikë të caktuar, do t’iu duhet të marrin disa vendime strategjike lidhur me çfarë është e rëndësishme tani dhe çfarë mund të arrihet më vonë. Kaq kam për të thënë për këtë”, shtoi Yuri Kim.