Ish-kreu i PD nuk e beson dot lëvizjen e papritur brenda PD-së: Ende nuk më ka dalë zemërimi pas këtij lajmi

Ish kreu i PD dega Fier, Ibrahim Morina ka reaguar për zhvillimet e fundit në PD. Ai ka komentuar lëvizjen pasi kryedemokrati Lulzim Basha komandoi në krye të PD Agron Kapllanajn në vend të Luan Baçit, deputeti që i doli në krah ish kryeministrit Sali Berisha.

Morina shkruan se Basha arriti në pikën kur barazoi demokratët e Fierit me një të dënuar në Itali, ndërsa poston edhe formularin e vetëdeklarimit të Kapllanajt.

Reagimi:

“EDHE KËTË E BËRË O LULZIM BASHA…?!

Një lajm, në dukje periferik, qarkulloi sot nëpër portale… “Lulzim Basha komandon në krye të degës së PD-së së Fierit, Agron Kapllanaj”. Çudia pas këtij lajmi bëhet edhe më e madhe, kur mëson se “Agron Kapllanaj, do të mbajë këtë detyrë deri në strukturimin e kësaj dege”.

Ende nuk më ka dalë zemërimi pas këtij lajmi. Jo vetëm kaq, por jam i sigurt se sikurse unë edhe ish-kryetarët e tjerë të kësaj dege ndjehen të fyer dhe të poshtëruar sepse Lulzim Basha vendosi sot shenjën e barazimit, mes nesh dhe një të dënuari ordinerë, me burg, në Itali.

Edhe këtë e bërë o Lulzim Basha…?!

Çfarë të ka mbetur ti bësh më shumë asaj dege të PD-së…?!

Në qoftë se ky ishte më “i miri” për strukturimin e PD në Fier, kur imagjinoj ata pas tij më vjen të ulëri dhe t’ju bëj thirrje gjithë demokratëve të Fierit, “mos lejoni që Lulzim Basha të kënaqë oreksin e tij duke shijuar opozitën bashkë me frutat që i vjelë asaj. Ajo degë ka emra pambarim, të cilët jo vetëm mund të bëjnë strukturimin e saj, por edhe të sigurojnë një rezultat shumë më dinjitoz në zgjedhje. Ndal tentativës së revanshit të Lulzim Bashës me të dënuar ordinerë si Agron Kapllanaj”…”, ka shkruar ai.