Hyseni thotë se Bulliqi do ta vendoste kufirin në Rozhajë, sikur t’ia kërkonte Haradinaj

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se sjelljet e papërgjegjshme të politikës në Kosovë dhe ato të pakuptimta, frustrojnë Amerikën por edhe BE-në, njofton Klan Kosova.

“Investimi ndërkombëtar në Kosovë është tepër i madh, patjetër që frustrimi ndodh kur një projekt pjesë e cilit ka qenë edhe Amerika edhe BE, në një moment të caktuar mund të ndjehen keq kur shohin sjellje të papërgjegjshme të politikës në Kosovë. Sjellje të pakuptimta, sepse bëhen tallje në atë që është qenësore, partneriteti strategjik me BE”, tha Hyseni, në emisionin Zona B në Klan Kosova.

“S’mund të kesh bashkëpunime të ngushta me Amerikën e të sillesh në anën tjetër si do vet, s’mund të sillesh me Malin e Zi, tash anëtar i NATO, si me një vend në Afrikën Qendrore. Kjo sjellje skajshmërisht e papërgjegjshme me ketë punën e demarkacionit mund të provojë efekte anësore tepër negative”.

“Kam frikë se po t’ia kërkonte Haradinaj kufirin në Rozhaj Bulliqit do ta bënte. Kjo është qesharake, por edhe tragjikomike në të njëjtën kohë”.

Ai tha se “Qeveria Mustafa me mocion është rrëzuar në atë pretekstin se nuk është e zonja të marrë vendime të mëdha. Tash është koha e vendimeve”.

Hyseni tha se LDK nuk do të lejojë të bëhen lojëra me atë, as deputetët e LDK-së.

“LDK nuk do të bie në grackën e lojërave që dikush po i bënë me deputetët, sepse nuk mundesh të luash me standarde të dyfishta, në njërën anë të votosh atë qeveri projektligjin që konfirmon atë , e në anën tjetër t’ju thuash deputetëve të partisë tënde mos e voto, çfarë politike është kjo”.

“Konteksti është si vijon: le t’i siguron koalicioni që i kanë me nënshkrime 61 vota jo 80, le të mbetet në përgjegjësinë shtetërore sigurimi i votave tjera, por pa ndodhur kjo, LDK nuk do të pranojë asnjëherë të luajë lojën e tjetër kujt. LDK është parti shtet-formuese, institucionaliste, udhëhiqet nga interesat fundamentale të shtetit dhe qytetareve të Kosovës”.

“Kjo situatë aktuale në Kosovë nuk tejkalohet me kauza të rrejshme, mund ta mashtrosh për një kohë të shkurtër edhë qytetarin e ndershëm të Kosovës por s’mund ta mashtrosh bashkësinë ndërkombëtare”, tha Hyseni. /Klan Kosova/