### Hati reagon pas përmendjes në materialet e Ergys Agasit: “Ku i keni provat?”
Hatixhe Brika, e njohur në rrjetet sociale si Hati, ka reaguar pas raportimeve të publikuara gjatë ditës së sotme, në të cilat emri dhe imazhi i saj janë përmendur në lidhje me disa materiale audio dhe video që pretendohet se lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas raportimeve të publikuara, Hati është përmendur mes personazheve që pretendohet se shfaqen në disa prej regjistrimeve të realizuara në ambientet e zyrës së Agasit. Megjithatë, nga materialet e bëra publike deri tani nuk paraqiten prova që e lidhin Hatixhe Brikën me ndonjë veprimtari të paligjshme.
Pas publikimit të raportimeve, Hati ka reaguar përmes një videoje të publikuar në Instagram, ku ka shprehur pakënaqësinë e saj për mënyrën se si është përdorur emri dhe imazhi i saj.
“Unë nuk e kuptoj që nuk ju ec lajmi pa vënë fytyrën time ose emrin tim, se doni me hangër bukë në kurriz tim. Po na keni qarë kokën, na keni lodhur trutë”, u shpreh ajo.
Në vijim, Hati kërkoi që, nëse ekzistojnë pretendime konkrete lidhur me përfshirjen e saj, të bëhen publike edhe provat përkatëse.
“Ku i keni provat? Nxirrni provat. A keni Zot apo s’keni? Nuk ju marr vesh”, tha ajo.
Deri tani, ky është reagimi publik i Hatit lidhur me raportimet. Përmendja e një personi në një material, takim apo regjistrim nuk përbën në vetvete provë për përfshirje në ndonjë shkelje ligjore, në mungesë të fakteve apo provave të tjera që e mbështesin një pretendim të tillë.