Haradinaj për takimin Biden – Merkel: Do ta përshpejtojnë njohjen reciproke Kosovë – Serbi

Presidenti amerikan Joe Biden, do të mirëpresë sot në takim në Shtëpinë e Bardhë kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka përshëndetur këtë takim, duke u shprehur se ka bindjen se dyshja, liderë të botës së lirë, do të përshpejtojnë arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi mes Bidenit dhe Merkelit është i mirëpritur dhe i nevojshëm për të adresuar të gjitha çështjet e hapura në Ballkan. Qëndroj i bindur se udhëheqësit e botës së lirë do të bien dakord për përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke”, ka shkruar Haradinaj në Twitter.