“Do t`i duket lule fati i Slobodan Millosheviç-it!” Sali Berisha paralajmëron Vuçiqin: Mos luaj me shqiptarët

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për targat, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u arrit dje në Bruksel.

Ai në një postim në Facebook, tha se përshëndet qëndrimin e drejt të autoriteteve të Kosovës dhe realizimin e reciprocitetit si zgjidhja e vetme dinjitoze e këtij problemi.

“Miq, sot në Bruksel u arrit marrëveshja për zgjidhjen e problemit të targave në vendkalimet kufitare dhe territoret përkatese midis Kosovës dhe Serbisë. Në përputhje me marrëveshjen zbatohet nga palët parimi i reciprocitetit. Targat zyrtare mbulohen me një etiket të shtetit përkatës në pikat e hyrjes në territoret respektive. Me këtë rast përshëndes firmosjen e marrëveshjes arritur ne Bruksel dhe ndërmjetësuesit e saj. Unë gjithashtu përshëndes dhe njëherë qëndrimin e drejt të autoriteteve të Kosovës dhe realizimin e reciprocitetit si zgjidhja e vetme dinjitoze e këtij problemi”, potencoi ai.

Sipas Berishës, vendimi i drejt i qeverisë së Kosovës për rivendosjen në përputhje të plotë me marrëveshjen e Brukselit të disa viteve më parë, nxori lakuriq para botës, shëmtinë e karakterit prej ultranacionialisti të verbër serb të Aleksander Vuçiq-it .

Po ashtu, sipas tij u vunë në pah edhe pasojat e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit nga aleanca destabilizuese dhe luftë nxitëse trilaterale e Beogradit me argatët e tij të Tiranës dhe Shkupit.

“Ishin pikërisht këta dy faktorë që inkurajuan presidentin e Serbomadhisë ish Geobelsin e Millosheviçit njeriun që nuk njeh gjenocidin serial serb ndaj shqiptarëve dhe gjenocidin serb ndaj boshnjakëve ti bej karshillëk NATO-s. Ky aventurier luftënxites i Beogradit riktheu hijet luftës, vringëllimin e armëve dhe dislokoj e forcat ushtarake në kufijtë e Kosovës duke dëshmuar se ai sot është po aq i rrezikshëm për paqen në rajon sa ç’ishte padroni i tij Sllobodan Millosheviç në vitin 1990”, u shpreh Berisha.

Ish kreu i PD-së dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, paralajmëroi Vuçiqin që të të mos luaj me paqen në rajon, të mos luaj me shqiptaret duke u mbështetur tek rusët.

“Me këtë rast duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimet konfliktuale dhe luftë-nxitëse të serbomadhit Vuçiç paralajmëroj atë të mos luaj me paqen në rajon mos luaj me shqiptarët duke u mbështetur tek rusët dhe në marrëveshjet e fshehta dhe të hapura me argatët e tij Zografi Bis-Zaev në Tirane dhe Shkup, se do t`i duket lule fati i idhullit të tij Slobodan Millosheviç!”, përfundoi Berisha.