Deklarata e fortë e Pandeli Majkos: Do të largohem përfundimisht nga politika nëse…

Ish-kryeministër, ish ministër i Mbrojtjes, tanimë Ministër i Shtetit për Diasporën, për herë të parë pas 30 vitesh si pjesë e Partisë Socialiste, rizgjedhja për të shtatën herë si deputet e Pandeli Majkos është në dyshim serioz pasi Edi Rama e ka vendosur të 19-tin në Tiranë.

Nuk ka dyshim se kur të vjetrit e socialistëve ngritën kartonin jeshil në parlament për të shkuar në zgjedhjet e 25 Prillit me lista pjesërisht të hapura, nuk e kishin menduar se do të ishin pikërisht disa prej tyre, që do të liheshin jashtë fitores së sigurt të mandatit të deputetit.

Pas pastrimit të parë të listës nga Edi Rama me lënien jashtë të disa socialistëve, ish ministra apo me mandat deputeti, shndërrimin e drejtuesve të qarqeve dhe politikanëve të karrierës, si vetë Pandeli Majkon, Fatmir Xhafën apo Mimi Kodhelin, në makineri prodhuese votash, ministri i Diasporës thotë për Vizion Plus se kjo është sakrifica për “mandatin e tretë qeverisës” dhe nëse nuk arrin që të zgjidhet deputet, do të largohet fare nga politika.

“Kush do të fitojë do t’i marrë të gjitha, kush do t’i humbasë do t’i humbasë të gjitha. Padyshim (nëse nuk zgjidhet deputet) do të fillojë një jetë tjetër. Kam dy diploma, që besoj janë të mjaftueshme për të vazhduar përpara”, ka deklaruar Majko.