Arben Malaj thirrje urgjente për SPAK, ja çfarë thotë për largimin e Besa Shahinit

Ish-minisitri socialisit, Arben Malaj kërkon që SPAK të veprojë. Duke folur për ikjen nga qeveria të ministres së Arsimit Besa Shahini u shpreh se ajo ka të drejtën e saj të largohet.

“Unë i uroj suksese ministres Shahini në rrugën e saj. Shahini ka të drejtën e saj të ‘fluturojë’. Partia politike duhet të jetë ajo që promovon personalitete. Edi Rama i zgjedh ministrat në mënyrë spontane. Duhet që brezi i ri të rritet në mënyrë graduale. Personaliteti duhet të ketë kredibilitet publik. Kjo sepse në fushën publike ka edhe kundërshtarë, ka edhe mbështetës. Ndryshimet në këtë periudhë kaq të shkurtër nuk japin efekte.

Kjo sepse personi duhet ca kohë të njohë ministrinë, të njohë vendin e punës. Ndoshta do të ishte e nevojshme që të ketë lëvizje për shkak të skandaleve dhe korrupsionit, ndoshta shpëton edhe kryeministri nga problemet. Ka ardhur koha që SPAK të veprojë. Në llumin e pushtetit të Rilindjes, ka qeveritarë që kanë abuzuar dhe duhet të përgjigjen. Ka dallim mes socialistëve dhe Rilindjes. Shqiptarët kanë nevojë për një shpresë të re. Shahini nuk i ka asnjë faj, thjesht ka pranuar ofertën për të qenë ministre e Arsimit”, tha Malaj për News24.