Akuzat e Hagës, Thaçi anulon udhëtimin drejt Uashingtonit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimit drejt Uashingtonit ku më 27 qershor do të mbahej një takim për dialogun Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë. Lajmi është konfirmuar nga Presidenca kosovare.

Po ashtu, lajmin e ka konfirmuar edhe i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në një postim të tijin në Tëitter, Grenell shkruan:

“Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se ka anuluar udhëtimin e tij për në Uashington pas njoftimit të bërë sot nga Zyra e Prokurorit Special. E respektoj këtë vendim për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështja ligjore dhe akuzat të jenë sqaruar.”

Më tej, Grenell shkroi po ashtu se diskutimet e të shtunës do të udhëhiqen nga Presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri Hoti.

Kujtojmë këtu se prokuroria e Hagës ka ngritur zyrtarisht një sërë akuzash për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin. Dy drejtuesit e PDK-së akuzohen për krime lufte, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaç, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.