Akuza drejt Vuçiqit: Në Emiratet e Bashkuara “vodhi” një deve prej ari në vlerë mijëra euro

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nga kundërshtarët politikë po akuzohet se ka marrë dhurata mijëra euroshe gjatë takimeve me biznesmenë të huaj, përfshirë këtu edhe një dhuratë nga ari në Emiratet e Bashkuara.

“Aleksandar Vuçiq vodhi një deve prej ari me vlerë dhjetëra mijëra euro nga shteti, dhe ai raportoi se ishte plastike dhe vlente 400 dinarë. Për shkak të kësaj, ndër të tjera, ai është i padenjë për të kryer funksionin e Presidentit të Serbisë”, tha Nemanja Sharoviq, udhëheqës i lëvizjes Dashuri, Besim, Shpresë.

“Nga përfaqësuesit diplomatikë të huaj dhe në takimet me kompanitë e huaja,Vuçiq mbajti një numër të madh të dhuratave për të cilat ai nuk kishte të drejtë t’i mbante në përputhje me ligjin, kështu që ai abuzoi me pozicionin e tij dhe raportoi në mënyrë të rreme qindra herë më pak vlerë të dhuratave sesa vlera reale e tregut”, shtoi ai.

Ndërsa ishte ende kryeministër, Vuçiq mori pjesë në Panairin e Armëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga më të mëdhenjtë në botë, dhe me atë rast ai mori pjesë në nënshkrimin e një kontrate multimilionëshe midis kompanisë shtetërore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jugoimport. Në atë takim, ai mori një dhuratë nga nikoqiri dhe kur u kthye në Serbi, ai raportoi se ishte një deve plastike me vlerë 400 dinarë, shkruan portali slobodna bosna.

Por sipas kundërshtarëve politikë, vlera e saj është dhjetëra mijëra euro.

“Pra, është një deve e artë me vlerë dhjetëra mijëra euro, dhe këtu është një kuti e shtrenjtë, e cila vlen pakrahasimisht më shumë se ato 400 dinarë. Është e qartë se Vuçiq mashtroi zyrtarët shtetërorë, se ai nuk kishte të drejtë ta mbante këtë dhuratë, dhe atë vlerë prej 400 dinarësh të cilat ai i raportoi larg nga çmimi real. Ai mund ta kishte mbajtur dhuratën deri në 2.000 dinarë dhe vetëm kutia vlen në mënyrë të pakrahasueshme më shumë”, ka thënë Shaqroviq.