Abramovich gati një super dhuratë për Tuchel, por ka një kusht

Chelsea i Thomas Tuchel po i mrekullon që të gjithë. Blutë e Londrës arritën të kualifikohen në çerekfinalet e Champions League mbrëmjen e djeshme duke eliminuar një kundërshtar si Atletico Madrid. Kjo ishte ndeshja e 13-të për trajnerin gjerman në stolin e Chelseas dhe ende nuk e ka njohur shijen e humbjes.

Loja e shfaqur nga skuadra i ka pëlqyer dhe Roman Abramovich, i cili mesa duket është gati t’i bëjë një dhurata Tuchelit. Sipas raportimit të “Sport Witness”, miliarderi rus kërkon të transferojë në Londër sulmuesin e Dortmund, Erling Braut Haaland.

Norvegjezi kërkohet nga gjysma e klubeve të Europës dhe klubi gjerman ka vendosur një klauzolë prej 150 milionë eurosh për këdo që e kërkon. Paratë nuk priten të jenë një problem për Abramovich, por ai ka një kusht për Thomas.

Pronari i klubit anglez kërkon që të paktën Chelsea ta përfundojë kampionatin në një prej katër vendeve të para, që të dërgon automatikisht në Champions League. Aktualisht ata renditen në vendin e katërt me 51 pikë, kur kanë mbetur dhe nëntë ndeshje nga përfundimi i sezonit.