Mësohen emrat, kush votoi kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga pozitat e saj në këtë parti. Osmani ishte pjesë e anëtarësisë së kryesisë së LDK-së dhe nënkryetare e saj, megjithatë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, vendosi të shkarkojë Osmanin nga këto pozita.

Tutje, Gazeta Express mëson disa nga emrat që votuan kudnër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në LDK.

Disa nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që votuan kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në LDK janë: Valentina Bunjaku, Anton Quni, Haxhi Avdyli, Ardian Shala, Avdi Pireva, Lumir Abdixhiku, Xhafer Tahiri.

Gjithashtu, Express mëson nga burimet e saja se asnjë nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së nuk e di rezultatin për shkarkimin e Vjosa Osmanit.

Propozimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga këto pozita erdhi nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë me arsyetimin se Osmani doli kundër qëndrimeve të partisë, duke mos votuar qeverinë e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.

E postin e nënkryetarit të LDK-së, pas shkarkimit të Osmanit është propozuar që ta zë Hoti.

Kujtojmë se edhe më parë Osmani kishte dalë kundër qëndrimeve të LDK-së.

Osmani për një kohë kishte prishur raportet me Isa Mustafën kur nuk e kishte votuar për Kryeministër në dhjetor të vitit 2014.

Mirëpo, Osmani ishte pajtuar me Mustafën dhe kishte përkrahur Avdullah Hotin për Kryeministër në zgjedhjet e 2017’ës, kur LDK dështoi, po ashtu, të dalë e para.

Osmani përfundimisht ishte pajtuar me Kryetarin e LDK-së në zgjedhjet e fundit partiake kur Mustafa e pranoi për Nënkryetare dhe kërkoi votat e partisë për ta bërë edhe Shefe të Qeverisë.