Gjermani: 15-vjeçari kosovar nën hetim për vjedhje

Tre adoleshentë nën hetim në Gjermani për vjedhjen e dy skuterëve elektrikë

Kempten – Policia në Kempten të Gjermanisë ka nisur hetimet ndaj tre adoleshentëve, të dyshuar për vjedhjen e dy skuterëve elektrikë pranë një shkolle. Në mesin e të dyshuarve është edhe një 15-vjeçar me shtetësi kosovare.

Pas raportimit të vjedhjes, pronarët e skuterëve kanë përdorur një aplikacion gjurmimi për të përcaktuar vendndodhjen e mjeteve. Pasi kanë identifikuar lokacionin, ata kanë njoftuar policinë dhe, së bashku me një patrullë policore, janë nisur drejt vendit të treguar nga sistemi i gjurmimit.

Në lokacion, zyrtarët policorë kanë gjetur tre adoleshentë: një 16-vjeçar me shtetësi gjermane dhe italiane, një 15-vjeçar me shtetësi kosovare dhe një 14-vjeçar me shtetësi italiane.

Sipas policisë, të tre dyshohet se në atë moment po çmontonin skuterët elektrikë, duke përdorur mjete pune.

Policia ka sekuestruar dy skuterët dhe më pas ua ka kthyer pronarëve. Në kuadër të hetimeve të mëtejshme, zyrtarët kanë konfiskuar edhe telefonat celularë të tre adoleshentëve.

Stacioni Policor i Kemptenit po vijon hetimet ndaj të miturve, nën dyshimin për vjedhje.

Deri në përfundimin e procedurave hetimore, ndaj të rinjve vlen prezumimi i pafajësisë.