**Zjarr në Rinas, përfshihet nga flakët një tabelë reklamuese**
Një incident me zjarr është regjistruar mëngjesin e sotëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Ngjarja është raportuar rreth orës 06:30–06:40, kur një tabelë reklamuese në ambientet e aeroportit është përfshirë nga flakët, duke aktivizuar menjëherë protokollet e emergjencës.
Shërbimet e sigurisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë për izolimin e zonës dhe shuarjen e zjarrit. Për arsye sigurie, pasagjerët që ndodheshin pranë zonës së prekur janë evakuuar përkohësisht.
Sipas njoftimeve të publikuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Situata është vënë nën kontroll brenda pak minutash dhe aeroporti i është rikthyer normalitetit.
Për të shmangur vonesat dhe grumbullimet e udhëtarëve, janë shtuar përkohësisht sportelet e regjistrimit (Check-In). Sipas autoriteteve të aeroportit, incidenti nuk ka ndikuar në programin e fluturimeve, të cilat kanë vijuar normalisht.