Syla zbulon çfarë, sipas tij, po e shqetëson Kurtin: Protestat për ish-krerët e UÇK-së

Syla ka deklaruar se zhbërja e Gjykatës Speciale nuk do të ishte një veprim i duhur, duke vlerësuar se rruga për ndryshime duhet të ndiqet përmes procedurave ligjore.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti ka mundësi të ndërmarrë hapa në këtë drejtim, por, sipas tij, Kurti po frikësohet nga protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Që dy javë protesta është duke u rritur. Kur thotë Albulena Haxhiu ‘jo në emrin tim’, nuk e di a e ka për fushatën zgjedhore apo e ka prej tutës së kësaj”, ka deklaruar Syla.

Sipas tij, votimi i një ligji do të ishte rruga përmes së cilës mund të adresohej kjo çështje, ndërsa kundërshtoi idenë e zhbërjes së Gjykatës Speciale.

“Votimi i ligjit është e vetmja mënyrë dhe apeli e vetmja rrugë që e kemi. Me rrëzu Gjykatën Speciale i bie sikur po luajmë me referin, tash hajde edhe një lojë pa refer”, është shprehur Syla.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje lidhur me qëndrimet e zyrtarëve qeveritarë për këtë çështje.

“Problemi vjen a do Albin Kurti, a do Albulena Haxhiu, se s’po di ajo a flet për zgjedhje, apo nuk e ka përnjëmend”, tha ai.

Në fund, Syla përsëriti qëndrimin e tij se protestat mund të jenë një faktor që po ndikon në qasjen e Kurtit ndaj kësaj çështjeje.

“Unë mendoj që Albin Kurtin po e frikësojnë këto protesta, sepse ai këtë masë e sheh si votuese”, ka deklaruar Syla.