Ndodh edhe kjo! Shpend Ahmeti s’mund ta regjistrojë djalin në çerdhe publike

Kriteret për regjistrim në çerdhet publike, u kanë sjellur pakënaqësi dhe ka krijuar vështirësi për shumë prindër për ti regjistruar fëmijët e tyre.

Kështu njëri ndër kriteret që po i pengon shumë prindër në kryeqytet por edhe vet kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti për ta regjistruar djalin e tij në çerdhe publike, është se ata që kanë pagë më të lartë duhet ti dërgojnë në çerdhet private.

“Kam një dilemë morale sepse në njërën anë nuk kam dashur ta dërgojë djalin në çerdhe private,por duke i ditur tash kriteret e krijuara nga Drejtoria e Arsimit nuk ka gjasa që ta regjistrojë. Paga e kryetarit arrin mbi 1000 euro, dhe nuk do ti merrja pikët për ta pasur djalin në çerdhe publike. Nuk po i arrijë ti plotësojë kriteret e Drejtorisë së Arsimit dhe ish drejtorit Jusuf Thaqi, për në çerdhe publike i cili nuk ka pranuar intervenca”, ka theksuar sot kryetari Ahmeti, në një konferencë për medie.

Ndryshe dje ka përfunduar afati i regjistrimit të fëmijëve në çerdhet publike, përderisa afati për ankesa, për ata prindër që mendojnë se ju është bërë padrejtësi do të jetë deri të hënën.