22 mijë tifozë nesër në ‘Air Albania’ për ndeshjen me Poloninë, Erion Braçe reagon ashpër ndaj Armand Dukës

Shqipëria dhe Polonia luajnë nesër në 20:45 në “Air Albania”, një ndeshje e shumëpritur nga tifozët, ndërsa FSHF ka bërë me dije se me një leje speciale, për këtë duel janë shitur të gjitha biletat dhe në tribunë do të ketë 22 mijë mbështetës kuqezi. Pas këtij lajmi ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka kritikuar jo pak kreun e FSHF-së, Armand Dukën, ndërsa thekson se stadiumi mbushet plot, në një kohë kur mbulesa vaksinale në vend është vetëm 40%.

Ai akuzon Dukën për papërgjegjshmëri, ndërsa shton se si mund të lejohet një pjesëmarrje e tillë tifozësh në stadiume, kur shtyrja e nisjes së mësimit në Universiteti po shtyhet pikërisht për të rritur mbrojtjen vaksinale e për të shmangur vatra infeksioni.

Braçe kujton edhe sfidën Atalanta – Valencia në Champions, ku shumë tifozë u infektuan me COVD më shumë se një vit më parë, duke e kthyer Bergamon në një vatër infeksioni.

Deklarata e Braçes:

“Stadiumi plot? Me 40% mbulesë vaksinale? Me këtë numër infektimesh ditore veçanërisht në Tiranë? Me këtë numër vdekjesh? Për më tepër kur ne po shtyjmë çeljen e universiteteve javë për javë pikërisht për të arritur mbrojtjen vaksinale e shmangur vatra infeksioni?! Shikoni, e kuptoj që dëshira është shumë e madhe, nevoja, pasioni gjithashtu; Por kujtoni dramën e Bergamos pas asaj ndeshjeje në San Siro! Nuk dëmton përkundrazi e kthen një ambient të sigurt një normë prej 40-50% të vendeve në stadium, në distancë e me maska! E di, i kam dëgjuar boll ato fjalitë “klubet plote”, “shkollat hapur”, “autobusët po plot”, “koncertet e kastës”, “premierat e Xhejmsit” etj etj: por shihini tabelat me të dhënat e Italisë, Spanjës, Gjermanisë; një vaksinë duhej, duhet për të qenë të lirë! dhe shihini stadiumet e tyre si funksionojnë! Pa vaksinë dhe të papërgjegjshëm, veç ky në foto mund të katandise! Vaksina është liri!”, shkruan Braçe.