Basha anulon takimin në Fier. Baçi: Do të respektojmë këtë ditë zie

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka anuluar takimin e planifikuar në qytetin e Fierit për shkak të ndarjes nga jeta të deputetit të PS, Bashkim Fino.

Qindra militantë dhe mbështetës të PD, pas një pritje për rreth 60 minuta janë shpërndarë me kërkesë të Luan Bacit. Takimi ishte planifikuar në orën 10.00 në sheshin “Sharra” në hyrje të qytetit të Fierit, por Baçi bëri me dije se Basha është kthyer nga rruga për të respektuar këtë ditë zie në nder të Finos.

Qytetarë të shumtë që jeni mbledhur në këtë shesh për të pritur kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, ju falënderoj përzemërsisht dhe do të më lejoni t’ju them se sot Basha e ka anuluar këtë takim, është kthyer nga rruga duke qenë se një prej deputetët e parlamentit shqiptar, zoti Fino ka ndërruar jetë. Ne do të respektojmë këtë ditë zie duke anuluar takimin e sotëm dhe të takohemi pas disa ditësh të tjera në një takim 10 fish më të madh për fitoren e PD me kryeministrin Lulzim Basha. Me qetësi dhe respekt, le të shpërndahemi”, tha Baçi para qytetarëve.