### Arrestohet mësuesi në Lushnjë, dyshohet se ngacmoi nxënësen 13-vjeçare me mesazhe
Një mësues 60-vjeçar është arrestuar nga Policia në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht përmes mesazheve një nxënëse 13-vjeçare.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi u krye nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas verifikimeve të kryera lidhur me rastin.
Sipas raportimeve në mediat shqiptare, denoncimi është bërë nga prindërit e vajzës, pasi ajo u kishte treguar për komunikimet me mësuesin. Pas administrimit të mesazheve dhe kryerjes së verifikimeve, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar 60-vjeçarin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, e cila do të vijojë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, personi i arrestuar prezumohet i pafajshëm.