Haxhiu flet për kandidatin për president: Përmend edhe emrin e Glauk Konjufcës
Albulena Haxhiu është deklaruar lidhur me qëndrimin e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se do ta mbështeste një kandidat për president nëse ai do të vinte nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haxhiu e ka cilësuar këtë qëndrim si të gabuar, duke argumentuar se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që nuk është pjesë e ndonjë partie politike.
Megjithatë, gjatë diskutimit për mundësinë e kandidaturave partiake, Haxhiu ka përmendur edhe një emër nga Lëvizja Vetëvendosje – Glauk Konjufcën.
“Ne, nëse flasim për emra partiakë, e kemi Glauk Konjufcën”, ka deklaruar Haxhiu.
Me këtë deklaratë, emri i Konjufcës është përfshirë edhe në diskutimet publike rreth kandidatëve të mundshëm për presidentin e ardhshëm të Kosovës. Deri më tani, deklarata e Haxhiut paraqet një emër të përmendur në kuadër të diskutimit politik dhe jo domosdoshmërisht një kandidaturë të konfirmuar zyrtarisht.