Alketa Vejsiu zbulon detaje nga jeta private: “Jam gruaja e Ardianit”

### Alketa Vejsiu flet hapur për bashkëshortin: “Jam gruaja e Ardianit”

Moderatorja dhe producentja Alketa Vejsiu ka folur hapur për jetën e saj private dhe marrëdhënien me bashkëshortin, Ardianin, gjatë një interviste në emisionin **“Live me Luizin”**, ku ishte e ftuar nga Luiz Ejlli.

Vejsiu, e cila ndër vite ka zgjedhur ta mbajë larg vëmendjes publike jetën bashkëshortore, u pyet nga Luizi se si do ta prezantonte veten në një ambient ku njerëzit nuk e njihnin.

Pas përgjigjes së Luizit, i cili tha me humor se do të prezantohej si “burri i Kiarës”, Alketa tha se edhe ajo mund ta përdorte të njëjtin model.

“Do them: jam gruaja e Ardianit, një burrë i jashtëzakonshëm që gjithë jetën më trajtoi si një grua të përveçme, mamaja e Lionelit dhe Nikollës, dhe Alketa, një vajzë e mirë, që bën dhe televizion herë pas here”, u shpreh ajo me humor.

Gjatë bisedës, ajo u pyet edhe nëse ndihet xheloze për bashkëshortin. Vejsiu tha se nuk ka një shqetësim të tillë, duke shtuar se ai nuk i jep arsye për të qenë xheloze.

### Pse nuk e ekspozon bashkëshortin në rrjetet sociale?

Një tjetër temë e diskutimit ishte fakti se Alketa rrallëherë, ose pothuajse asnjëherë, nuk e publikon bashkëshortin e saj në rrjetet sociale.

Ajo shpjegoi se kjo lidhet me respektimin e dëshirës së tij për të qëndruar larg botës së showbizit.

“Respektoj dëshirën dhe lirinë e tij, sepse nuk është njeri që i përket botës së showbizit. Kështu ka qenë që në fillim dhe unë respektoj limitet e partnerit, siç ai më ka dhënë liri të jetoj unë plotësisht pasionin tim”, deklaroi Vejsiu.

Ajo tregoi gjithashtu se është njohur me bashkëshortin kur ishte ende shumë e re, ndërsa sipas rrëfimit të saj, ai e ka mbështetur gjithmonë në rrugëtimin e saj profesional.

“Unë jam njohur me të pa bërë ende 20 vjeç, ai ishte 33 vjeç, një djalë i ri, i pjekur, i cili e pa që unë kisha rrugë për të bërë dhe nuk donte kurrsesi që planet tona familjare të ndërprisnin rrugën time për të bërë gjënë që mua më bën të lumtur”, u shpreh ajo.

Vejsiu foli edhe për besimin në marrëdhënien e tyre dhe pyetjes nëse ka frikë nga tradhtia iu përgjigj se nuk e ka një shqetësim të tillë.

Sipas saj, marrëdhënia e tyre bazohet në një mirëkuptim dhe një angazhim të përbashkët ndaj familjes dhe fëmijëve.

“Projekti më i madh janë fëmijët, është familja, pastaj janë dhe ca projekte të mëdha të bukura që kanë lidhje me ëndrrat tona të përbashkëta”, tha Alketa.

Gjatë intervistës, ajo theksoi se prej vitesh kanë një marrëdhënie të stabilizuar dhe se të dy kanë respektuar hapësirën, zgjedhjet dhe pasionet e njëri-tjetrit.