Tragjedi në shkollë: 13-vjeçarja humb jetën pas sulmit me thikë

13-vjeçarja, e cila të martën u plagos në një sulm me thikë në një shkollë fillore në fshatin Staškov, në rajonin e Çadcës në Sllovaki, ka ndërruar jetë, njoftoi sot kryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Richard Raši.

Ajo është viktima e dytë e sulmit. Një mësuese 61-vjeçare humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Sipas agjencisë TASR, një tjetër mësuese e plagosur ndodhet e shtruar në spital.

Sulmi ndodhi të martën në mëngjes në ambientet e shkollës. I dyshuari është një nxënës 13-vjeçar i klasës së tetë, i cili u arrestua dhe më pas u dërgua në një institucion psikiatrik.

Policia sllovake vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në proces janë përfshirë ekspertë nga disa fusha dhe sektorë, ndërsa janë marrë në pyetje disa dëshmitarë, dëshmitë e të cilëve konsiderohen të rëndësishme për hetimin.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu motivin e sulmit.

Policia ka bërë të ditur se nuk do të publikojë detaje të mëtejshme mbi motivin e mundshëm të të dyshuarit apo rezultatet e veprimeve hetimore, me qëllim që të mos pengohet zhvillimi i rregullt i hetimit dhe i procedurës penale.