Mbi 7,600 transaksione: 28-vjeçari nga Kosova pranon fajin në SHBA

🇽🇰🇺🇸 SHBA–Kosovë: Bashkëpunim në luftën kundër krimit kibernetik

Ardit Kutleshi, 28 vjeç, shtetas i Kosovës, ka pranuar fajësinë para drejtësisë amerikane për akuza që lidhen me krijimin dhe menaxhimin e platformës online “Rydox”, e cila, sipas dokumenteve të gjykatës, përdorej për tregtimin e të dhënave personale të vjedhura, mjeteve të qasjes dhe shërbimeve të lidhura me krimin kibernetik.

Sipas dokumenteve gjyqësore, që nga viti 2016, përmes platformës janë kryer më shumë se 7,600 transaksione me të dhëna personale, mjete qasjeje dhe shërbime të tjera të lidhura me aktivitetet kibernetike. Të ardhurat e gjeneruara nga këto aktivitete vlerësohen në të paktën 232 mijë dollarë.

Sipas FBI-së, të dhënat e tregtuara përmes platformës përfshinin edhe informacione të vjedhura nga viktima, kryesisht në Shtetet e Bashkuara.

Kutleshi e ka pranuar fajësinë në Gjykatën e Qarkut për Distriktin Perëndimor të Pensilvanisë për akuzat për vjedhje të rëndë të identitetit dhe konspiracion për pastrim parash.

📅 Shqiptimi i dënimit është caktuar për 9 shkurt 2027.

Rasti është përshëndetur edhe nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre amerikane në hetimin dhe ndjekjen e rastit.

“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA–Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik ndërkufitar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ambasada ka falënderuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, institucionet e tjera të Kosovës dhe të gjithë personat e përfshirë për bashkëpunimin në çuarjen e rastit para drejtësisë.