### Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata është miratuar në seancën plenare të 28 shtatorit 2026, ndërsa dokumenti është lexuar në Kuvend nga kryetarja Albulena Haxhiu. Seanca dhe deklarata ishin paralajmëruar nga Kryesia e Kuvendit pas aktgjykimit të 16 shtatorit.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundërshton përfundimin e gjykatës lidhur me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.
Dokumenti kërkon që institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e asaj që Kuvendi e konsideron të vërtetën historike për luftën në Kosovë.
Një pjesë e veçantë e deklaratës i referohet mandatit të Dhomave të Specializuara, duke kërkuar që ky institucion të veprojë në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Kuvendi i Kosovës.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se e drejta për një gjykim të drejtë dhe mbrojtja e viktimave dhe familjeve të tyre duhet të jenë pjesë e qasjes institucionale ndaj këtij procesi.
Kuvendi kërkon hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës do të bashkërendoheshin veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara.
Deklarata gjithashtu përmban qëndrimin e Kuvendit se lufta në Kosovë duhet të trajtohet në kontekstin e represionit dhe krimeve të kryera ndaj popullsisë së Kosovës gjatë viteve 1998–1999, duke iu referuar edhe aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Trupi gjykues i shpalli ata përgjegjës për disa krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Deklarata e miratuar nga Kuvendi parashihet t’u përcillet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Arkivit të Kuvendit.