Skandali, ne Shqiperi perdoren grafi dentare që BE-ja i ka për kafshët

Rreth 70% e materialeve dentare në vendin tonë futen kontrabandë, ndërkohë kjo komprometon rëndë cilësinë e këtyre produkteve. Nga ana tjetër, ka dentistë që përdorin pajisje të grafive, të cilat në vendet e Bashkimit Evropian përdoren vetëm për kafshët”.

Deklaratat e forta janë bërë ditën e djeshme në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë nga distributorët e materialeve mjekësore, gjatë diskutimit të projektligjit “Për pajisjet mjekësore”. Sipas tyre, situata kaotike është krijuar pas shkurtit të vitit 2008, kur qeveria e asaj kohe vendosi aplikimin e TVSH-së në masën 20% për pajisjet mjekësore si dhe pas shfuqizimit të licencave të grosistëve që operonin në treg. “Situata është shumë e rëndë. Që pas 2008-ës s’ka asnjë sistem kontrolli. Në shkurt 2008 janë bërë 2 lëvizje ligjore: u aplikua TVSH 20%, si dhe u bë shfuqizimi i licencave të grosistëve nga Ministria e Shëndetësisë. Më parë kishte testim të subjekteve që kishin të drejtë të importonin këto pajisje, ndërsa më vonë mund ta bënte çdo subjekt”, – u shpreh importuesi i materialeve dentare, Elton Mele. Situata e rëndë është pranuar edhe nga deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, e cila theksoi se si pasojë e përdorimit të këtyre aparaturave, pacientit rrezikon t’i shfaqen sëmundje tumorale.

“Tregu stomatologjik është prishur, futen materiale të pakontrolluara dhe të pacertifikuara. Mund të kenë ndikim negativ drejtpërdrejt në shëndet, mund të shfaqet një tumor pas dy vitesh dhe të mos e gjesh dot se kush e shkaktoi”, – u shpreh Spahiu. Duke marrë në konsideratë këtë situatë, grupet e interesit kërkuan ndryshimin e legjislacionit, në drejtim të TVSH-së. Sipas Meles, vlera prej 20% e kësaj takse thjesht po stimulon mosdeklarimin e këtyre materialeve apo pajisjeve dentare, pra stimulimin e kontrabandës. “Aplikimi 20% i TVSH-së ka krijuar futjen e këtyre mallrave në të zezë. Mungesa e kontrollit dhe stimulimi financiar ka krijuar një situatë që, gjysma e materialeve dentare që hyjnë në Shqipëri janë të padeklaruara dhe kjo komprometon edhe çështjen e cilësisë, por edhe godet subjektet serioze që i përgjigjen shtetit në nivelin e taksimit. Ne do të sugjeronim ndjekjen e praktikave të vendeve të rajonit, të cilat e kanë të reduktuar TVSH-në. Italia e ka 4%, për të mos folur për Kosovën e Maqedoninë, që e kanë 0%”, – u shpreh Mele.

Ndërkohë që, sa i takon monitorimit të cilësisë së materialeve dentare, kërkohet krijimi i një database, ku të përshihen të gjitha llojet e produkteve që lejohen të importohen. “Ne do sugjeronim që për kontrollin e cilësisë të aplikohet database evropian, e cila quhet “eudamend”. Kjo database përfshin të gjitha produktet që lejohen të tregtohen në BE, SHBA, Kanada, Japoni, thjeshtëson procedurën dhe lejon Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave të verifikojë materialet”, – tha Mele. Po dje, në këtë komision parlamentar u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Unicredit Bank Austria AG, për financimin e projektit “Shëndetësia elektronike në Shqipëri – Regjistri mbarëkombëtar i shëndetësisë elektronike”.