**Haradinaj reagon pas shkarkimit të Isufajt: “Këtij vendimi po i vjen erë e keqe”**
Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Haradinaj e ka cilësuar vendimin si “hakmarrje”, duke e lidhur atë edhe me përplasjet e mëparshme politike dhe deklaratat e bëra ndaj tij në Kuvend.
“Këtij shkarkimi po i vjen erë e keqe”, ka shkruar Haradinaj në reagimin e tij, duke pretenduar se vendimi është i motivuar politikisht.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, sipas tij, përgjegjësit për vendime të tilla do të përballen me drejtësinë.
“Askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Do të vijë dita që këta që mbrohen përmes shkarkimeve do të përballen me forcën e ligjit”, ka thënë Haradinaj, duke e cilësuar vendimin si “hakmarrje të pastër politike”.
Ndërkohë, KPK ka dhënë një tjetër arsyetim për shkarkimin e Isufajt. Sipas Këshillit, vendimi është marrë pas vlerësimit të rrethanave institucionale dhe profesionale, ndërsa në arsyetim janë përmendur, ndër të tjera, pretendime për keqmenaxhim, jokompetencë dhe mospërmbushje të detyrave dhe standardeve të kërkuara të performancës.
Vendimi për shkarkimin e Isufajt u mor nga KPK me **6 vota për dhe 1 kundër**. Pas shkarkimit, Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.